Tuesday, December 13, 2011
Ëndrra e shqiptarëve, integrimi në BE
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali, u pritën sot nga Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino.
Presidenti Topi i shprehu zotit Fasino konsideratën e lartë për rolin dhe punën e Kryebashkiakut të Torinos në mbështetje të politikave vendore që nxisin integrimin e shtetasve të huaj në këtë qytet, e në veçanti për qytetarët shqiptarë, të cilët tashmë janë një shembull i bashkëjetesës dinjitoze mes vlerave dhe traditave më të mira të vendit të tyre të origjinës dhe të normave e standardeve të qytetarisë evropiane.
“Komuniteti shqiptar në Itali është një urë e fortë lidhëse, komunikimi mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe aftësia dhe zotësia e këtij komuniteti për t’u integruar në një kohë të shkurtër në jetën e një qytetit të zhvilluar, plot kulturë e histori, siç është Torino, dëshmon për gjenezën dhe identitetin evropian të shqiptarëve që shprehet qartazi, sidomos sot, në aspiratën e mbarë popullit për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, u shpreh Presidenti i Republikës.
Në këtë pikë Presidenti Topi theksoi se: “Ëndrra e të gjitë shqiptarëve kudo ku jetojnë është që të integrohen në Bashkimin Evropian (BE). Duke pasur parasysh bashkësinë shqiptare tashmë të integruar në Rajonin e Piemontes dhe në Torino, ne kemi një urë lidhëse mes nesh të përbërë nga njerëz që jetojnë e punojnë së bashku çdo ditë. Prandaj shpresojmë që edhe numri i investitorëve torinezë të rritet në Shqipëri”.
Në vijim, pasi bëri një përshkrim të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, Kryetari i Shtetit vuri në dukje faktin se “çdo komb, çdo popull kalon periudha të vështira në historinë e zhvillimit të tij, kalon faza të tranzicionit dhe të ndryshimeve thelbësore, por edhe të forcimit e konsolidimit të institucioneve, por se i rëndësishëm është vullneti dhe angazhimi për t’u ringritur dhe për të përballur me sukses me sfidat e së ardhmes”.
“Historia e popullit shqiptar karakterizohet nga momente të tilla edhe për shkak të shumë faktorëve historiko-shoqëror”, tha Presidenti Topi, - “por ne gjithnjë kemi mundur t’ia rinisim nga e para, të ndërtojmë të ardhmen tonë e të brezave në vijim, për t’u shërbyer interesave madhorë e prioritarë të shtetit dhe të popullit shqiptar për zhvillim, integrim e mirëqenie”.
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vuri në dukje se përpjekjet aktuale që duken të bashkojnë forcat politike në Shqipëri për gjetjen e konsensusit kryesisht për çështje të reformave thelbësore për demokracinë dhe zhvillimin e vendit, vlejnë të vlerësohen pozitivisht.
Kryetari i Bashkisë së Torinos, pasi vuri në dukje rëndësinë e kësaj vizite të nivelit më të lartë, vlerësoi praninë dhe kontributin e Presidentit Topi për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, “marrëdhënie, të cilat ka qenë tradicionalisht të shkëlqyera” – siç i cilësoi zoti Fasino. Kryebashkiaku i Torinos theksoi se “ndihemi të nderuar me praninë e Presidentit Topi pikërisht në përvjetorin e njëzetë të nisjes së emigracionit modern shqiptar në Torino. Shqiptarët, me punën, djersën dhe pasionin e tyre kontribuojnë çdo ditë për rritjen ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtij qyteti. Së bashku me grupet e tjera të emigrantëve, që janë integruar më së miri, ata përbëjnë një pasuri për qytetin tonë”.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment