Thursday, December 22, 2011

Ekonomistët Stiglitz dhe Roubini:2012 do jetë më keq se 2011

2011 vit i tmerrshëm për ekonominë? 2012 do të jetë edhe më keq. Deklarata vjen nga dy prej ekonomistëve më të njohur në botë, çmimi Nobel për ekonominë Joseph Stiglitz dhe profesor Nouriel Roubini një ndër të paktët që parashikoi krizën financiare në të cilën gjendemi sot, në një intervistë dhënë gazetës gjermane Handelsblatt.

“Për të dalë nga kriza është e nevojshme një rishikim radikal i ekonomisë dhe një rol më i madh i politikës, për të ulur pabarazinë midis klasave sociale. Por politikanët kanë mbaruar municionet dhe vazhdojnë ti fshihen përgjegjësive të tyre. Nëse ecim me këtë hap fundi i euros dhe një kaos i ri financiar në rang ndërkombëtar janë afër”.- deklaron Roubini.

Mezi presim të hedhim pas krahëve 2011, një vit i tmerrshëm për ekonominë, por 2012 do të jetë edhe më keq. E thonë çmimi Nobel për ekonominë Joseph Stiglitz dhe profesor Nouriel Roubini, një ndër të paktët që arriti të parashikojë krizën financiare të 2007-2008 në të cilën gjendemi ende. Të pyetur nga gazeta ekonomike gjermane Handelsblatt, dy ekonomistët nuk kanë dyshime, vitin e ardhshëm do të ketë një recesion ekonomik i rëndë, karakterizuar nga pabarazi gjithnjë e më të mëdha, luftëra valutore e tregtare dhe, nëse nuk arrihet të veprohet në kohë, nga fundi i Euro-s.

“Gjëja më pozitive e 2011 është që me shumë mundësi ishte më i mirë se 2012,- deklaron Stiglitz - por ka dhe aspekte pozitivë, Shtetet e Bashkuara duket se më në fund janë ndërgjegjësuar mbi hendekun e thellë midis pjesës më të pasur dhe masave amerikane. Ndërsa lëvizjet e protestave të të rinjve, që nga pranvera arabe tek të indinjuarit në Europë, e deri tek okupuesit e Wall Street, kanë vënë në dukje se ka diçka që nuk funksionon absolutisht në sistemin kapitalist”.

“Por megjithë lëvizjet popullore, ka shumë mundësi që problemet politike dhe ekonomike të Europës dhe SHBA do të përkeqësohen më tej në 12 muajt e ardhshëm. Kryetarët e shteteve europiane nuk lodhen duke thënë se Euro duhet shpëtuar – vazhdon Stiglitz – por kush ka vërtet në dorë pushtetin për të ndërhyrë, vazhdon ti iki përgjegjësive të veta, duke evituar të bëjë atë që është e nevojshme”.


Për profesor Roubini recesioni është i sigurt, të paktën në zonën euro. E shoqëruar nga një rritje “anemike” e SHBA dhe një ulje ekonomike e Kinës dhe vendeve emergjente. “Ajo çka do të groposë Europën – sipas Roubini – do të jetë shtrëngimi i kredive që do të pengojë ndërmarrjet, pesha e borxhit publik, mungesa e konkurrencës dhe planet e vazhdueshme të austerity,që do të ulin gjithnjë e më shumë konsumin dhe investimet”. 

“E vetmja gjë që po shpëton ende, të paktën përkohësisht, Euron janë blerja e titujve shtetërorë nga Banka Qendrore Europiane, shtetet europiane aktualisht janë të financuar nga BQE, - deklaron Stiglitz – politikanët gjermanë kanë dënuar ashpër këtë ndërhyrje, por nuk kanë ofruar një alternativë. Përgjigjet e politikës kanë qenë të pasigurta, pa entuziazëm dhe mbi të gjitha të vonuara”.

Çmimi Nobel Stiglitz ka kritikuar edhe SHBA ku sipas tij, asnjë politikan nga asnjë prej grupimeve do të paraqesë ndonjë program të vërtetë për një rishikim total të ekonomisë, në mënyrë që të zvogëlojë pabarazitë e të ulë peshën e financës.

Pyetjes se çfarë duhet bërë atëherë për të shpëtuar, Stiglitz i është përgjigjur se do të duhej më shumë kurajo dhe vendosmëri nga ana e politikanëve, veçanërisht në Europë.
Në mungesë të ndërhyrjeve të vendosura, recesioni i nisur në 2007-2008 do të mund të rikthehet në 2012, në një fazë të re, më të rrezikshme se paraardhëset.
Marre nga balkanweb

No comments:

Post a Comment