Wednesday, December 21, 2011

Censusi, Athina shpreh rezerva për rezultatet

ATHINE - "Ministria e Jashtme i ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet që lidhen me regjistrimin në Shqipëri, dhe ka bërë atë që është e duhur, si në nivel dypalësh ashtu dhe në nivel evropian, për të siguruar integritetin e procesit, mospengimin e regjistrimit të anëtarëve të pakicave kombëtare greke dhe çdo vendqëndrim të tyre", kështu shprehet në letrën drejtuar parlamentit, Ministri i Punëve të Jashtme Stavros Dimas, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë, pyetjes së deputetit të LAOS, Kostas Aivaliotis. 

Ky i fundit ka thënë në pyetjen e tij se "Qeveria shqiptare bëri ndryshime në pyetësorin e regjistrimit, vendosi pengesa për procesin, duke përfshirë edhe gjobat 100 000 lekë, në mënyrë që të pengojë regjistrimin e qytetarëve me origjinë greke dhe të dekurajojë ata që duan të deklarohen grekë." 

Sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve dhe shumë mediave të tjera në vend, në letrën e tij, Dimas vë në dukje gjithashtu se "vendimi i përfaqësuesve të pakicave të mëdha, përfshirë edhe minoritetin kombëtar grek, për të ftuar anëtarët e tyre që të braktisin procesin, tregoi një mungesë të rëndë besimi të pakicave në shtetin shqiptar." 

Ministri shton se “kjo së bashku me pretendimet për parregullsi në procesin e regjistrimit të popullsisë, vë në diskutim besueshmërinë e rezultateve të përftuara nga përpunimi i të dhënave, të madhësive të grupeve të pakicave dhe zonave ku ata jetojnë". 

"Respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është një kriter thelbësor për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE," vëren në letrën e tij Ministri i Jashtëm Stavros Dimas dhe thekson se "respektimi i të drejtës së vetëvendosjes së lirë gjatë kryerjes së regjistrimit, është deklaruar nga raporti i fundit i Komisionit Evropian të progresit për Shqipërinë, si e një rëndësie kritike". 

Ministri Dimas shprehet se "Greqia ka investuar gjithmonë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Shqipërinë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, duke konsideruar dukshëm në këtë drejtim, mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke, e cila përbën një urë të miqësisë midis dy vendeve".
Marre nga balkanweb

No comments:

Post a Comment