Wednesday, March 21, 2012

Berisha: Do realizojmë të gjitha reformat, Sannino: Ju mbështesim

TIRANE - Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, kryeministri Berisha i dorëzoi Drejtorit të Zgjerimit në KE, Stefano Sannino, planin e veprimit për integrimin e vendit në BE.

Shefi i qeverisë theksoi se “ky plan veprimi ka mundin, djersën punën e përbashkët të mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile.

Sipas kryeministrit, procesi i integrimit është gjithëpërfshirës, pasi të gjitha forcat politike e kanë në programin e tyre integrimin e vendit në BE dhe janë bashkë aksionerë në projektin më madhor të kombit.

Duke përmendur konsensusin politik dhe punën e mirë në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve të BE-së për integrimin, kryeministri tha se kjo frymë po mbizotëron gjithnjë e më shumë.

“Në parlament po punohet me intensitet për reformën elektorale, punë shumë e mirë për Gjykatën Adminsitrative. Po punohet për përmirësimin e rregullores së Kuvendit dhe në tërësi është bërë një punë serioze.”- dekalroi Berisha.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë siguroi zotin Sannino se pozita edhe opozita janë dakord për heqjen e imunitetit të zyrtarëve.

“Ka pasur kundërshtime për rrugën ligjore, por qeveria do të pranojë kompromisin, do të pranojë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme për realizimin e projektit të imuniteteve në Shqipëri.”- tha kryeministri.

Kryeministri përmendi edhe çështjen e pronave, duke nënvizuar angazhimin e qeverisë për të çuar përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Do bëjmë gjithçka që brenda këtij mandati të pëfundojë regjistri dixhital dhe jemi optimist se do ta realizojmë atë.”- theksoi Berisha.

SANINNO: JU PËRGËZOJ, VAZHDONI ME DIALOG
Drejtori i Zgjerimit në KE, Stefano Sannino, me të marrë në dorëzim planin e veprimit e konsideroi atë një dokument serioz, ndërsa vlerësoi gjithëpërfshirjen politike në hartimin e tij.

Ai nënvizoi edhe njëherë rekomandimin e komisionerit Fyle, se integrimi për shqiptarët duhet të kthehet në axhendë kombëtare.

“Jam tërësisht dakort që keni përfshirë gjithë forcat politike dhe shoqërinë civile në këtë plan veprimi. Komisioni Europian ju përgëzon për frymën konstruktive dhe ju inkurajojmë për këtë. Komisioneri Fyle ka theksuar faktin që axhenda europiane të jëtë axhenda kombëtare e Shqipërisë. Dëshiroj të them se suksesi i axhendës europiane do jetë i të gjitha plaëve politike dhe jo i një pale”, tha ai.

Ai këshilloi ndër të tjera, të përfundohet procesi për reformën zgjedhore në javët në vijim, si një garanci për zgjedhje të mira në Shqipëri.

“Ndaj me ju vlerësimin që është tepër e rëndësishme që të përfundojë puna për Reformën Zgjedhore sa më shpejt, në javët në vijim që të sigurohemi se vitin tjetër do keni zgjedhje të mira”, tha ai.

Sipas Saninnos, shtyllë kryesore në luftën kundër korrupsionit, mbetet heqja e imunitetit. “Ne si BE do presim një marrëveshje për të hequr imunitetin”, theksoi ai.

Marre nga BalkanWeb

No comments:

Post a Comment