Wednesday, December 21, 2011

INSTAT: Popullsia 2 831 741 banorë, në 10 vjet u zvogëlua 7.7 %

TIRANË- Instituti i Statistikës shpalli sot në ambientet e ‘Hotel Sheraton’ në Tiranë rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë së Shqipërisë. 

Drejtoresha e INSTAT, Ines Nuraj, prezantoi për publikun rezultatet paraprake të CENSUS-it të popullsisë dhe banesave 2011. Nga të dhënat paraprake, rezulton se popullsia që banon në territorin e Shqipërisë është 2,831,741 banorë, krahasuar me vitin 2001 numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7 për qind gjatë këtij dhjetë vjeçari. 

"Krahasuar me popullsinë në vitin 2001 ajo është 7.7 % më e vogël dhe shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë supozohet se janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë "- deklaroi Nurja.

Popullsia rezidente është e përbërë nga 1,421,810 meshkuj ose 50.2 % dhe 1,409,931ose 49.8 % femra. Vlerësimi paraprak i numrit të popullsisë që kanë refuzuar këtë census është 29,355 %. 

Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, që datojnë që në vitin 1923, popullsia e cila jeton në zonat urbane, është më e madhe se ajo në zonat rurale. Sipas të dhënave paraprake të këtij censusi, rezulton se 53.7 % jetojnë në zonat urbane dhe 46, 3 % në zonat rurale. Numri gjithsej i banesave në Shqipëri është në vitin 2011 1,075,881 nga 785,515 që ishte në censusin e kaluar. Pra që nga viti 2001 e deri më sot kemi një rritje të numrit të banesave me 37 %. 

Gjithashtu, sipas Nurjes, në këtë Census janë numëruar 740256 njësi ekonomike familjare, me një rritje prej 2 % nga censusi e vitit 2001.Numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8 nga 4.2 që ishte në vitin 2001 "E gjithë kjo panorame demografike, e cila sigurohet vetëm nëpërmjet censusit, është një informacion mjaft i vlefshëm për të ndërtuar politikat dhe përballuar sfidat e vendit tonë në të ardhmen",-deklaroi Nurja.

Drejtuesi i Ekipit të Projektit të BE-së për Mbështetjen teknike për Censusin, Roberto Bianchini, duke vlerësuar ecurinë e censusit, tha se e gjithë Shqipëria u mbulua me harta dixhitale që lehtësuan punën e 15 mijë personave të angazhuar në këtë proces mjaft të rëndësishëm për politikbërësit.
"Procesi i censusit ende s'ka përfunduar, pasi përveç procesit të mbledhjes së të dhënave kalohet në fazën më të rëndësishme atë të përpunimit dhe analizës së tyre", tha Bianchini.

Rezultatet paraprake të censusit janë informacioni i parë që kanë burim zonat e numërimit bazuar në shumatorët e anketuesit. 

Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll me 1 nëntor. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. 
Marre nga balkanweb

No comments:

Post a Comment